“TË MOBILIZOHEMI SË BASHKU PËR ZGJIDHJE EFEKTIVE PËR BANORËT E VISOKËS”
Në Fshatin Visokë të Bashkisë Mallakastër banojnë 400 familje, me rreth 1200 banorë. Ky fshat nuk ka patur historikisht ujësjellës. Ujin e pijshëm, banorët e sigurojnë në mënyra të ndryshme nga zonat përreth, qoftë duke e transportuar edhe me bagëti. Uji i puseve që ata përdorin dhe si ujë të pijshëm nuk është i pastër dhe nuk i është nënshtruar analizave. Fshati Visokë ndodhet në zonë naftëmbajtëse ku ndjehet era e rëndë e gazit dhe e naftës. Fëmijët që ndjekin Shkollën 9-vjeçare dhe Kopështin e Visokës e sjellin ujin e pijshëm me shishe. Gjatë stinës së verës, sigurimi i ujit të pijshëm bëhet edhe më i vështirë.
Banorët shprehen të zhgënjyer nga drejtuesit e pushtetit vendor dhe qendror që u kanë premtuar zgjidhjen e këtij problemi por në fakt asgjë nuk është bërë. Kjo situatë që prej vitesh nuk ka gjetur zgjidhje kërkon kujdes të veçantë për të parandaluar pasojat e dëmshme në shëndetin e banorëve, të cilat mund të jetë edhe të parikuperueshme.
E drejta për ujë është e lidhur me të drejta të tjera themelore si e drejta për jetën, e drejta për shëndet të mirë, e drejta për t’u mos diskriminuar, e drejta për mjedis të pastër, etj. Autoritetet publike kanë detyrimin për t’u siguruar qytetarëve furnizimin me ujë, kanalizime, mbrojtjen nga ndotja të tokës dhe rezervave ujore.
Me nismë të KShH-së, Drejtoria e Shëndetit Publik Fier kreu analizat organo-leptike dhe fizio-kimike të ujit të marrë nga një cestmë publike në qendër të fshatit Visokë. Analizat evidentuan se uji është jo konform standartit shtetëror për ujin e pijshëm. Përdorimi i këtij burimi uji nga banorët rrezikon jetën dhe shëndetin e banorëve të Visokës, të cilët e përdorin atë në mungesë të një alternative të sigurtë të ofruar nga institucionet përgjegjëse publike.
Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) është angazhuar për të ndihmuar banorët për të siguruar ujin e pijshëm përmes ndjekjes së rrugëve ligjore, administrative apo gjyqësore.[1] Në muajin prill 2017, KShH i është drejtuar me një Kërkesë administrative Bashkisë Mallakastër, Agjensisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizime dhe Ministrisë e Transportit dhe Infrastrukturës, për përmbushjen e detyrimit ligjor për prodhimin, trajtimin dhe furnizimin me ujë të pijshëm për Fshatin Visokë. Në mungesë të zgjidhjes së çështjes së mësipërme brenda afateve ligjore, banorëve i lind e drejta t’i drejtohen gjykatës për të detyruar këto institucione për ofrimin e shërbimit publik të furnizimit me ujë të pijshëm.
Me anë të këtij Peticioni ftojmë të gjithë qytetarët t’i bashkohen kësaj inisiative duke e nënshkruar Peticionin, me qëllim nxitjen e organeve shtetërore përgjegjëse, vendore dhe qëndrore, për sigurimin e kësaj të drejte themelore.
Ndjekja dhe përfaqësimi ligjor i kësaj çështje mbështetet financiarisht nga Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë (OSFA).[1]Projekti “Të kontribuojmë në respektimin dhe rivendosjen e të drejtave të shkelura të banorës së Visokës”, mundësuar financiarisht nga Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë (OSFA)
Comment